Partia e Fortë: Mitrovica e bashkuar

Mitrovicë, 4 qershor Gjatë kësaj ekspedite okupuese, në Kodrën e Minatorëve në veri të Mitrovicës, u lavdërua angazhimi ekonomik i Organizatave Politiko Financiare (OPF) të themeluara në baza farefisnore që vijnë nga etnitet serb dhe ai shqiptar për zhvillimin e dialogut ndër etnik në këtë qytet.
Këto organizata që në mënyrë derogatore, padrejtësisht quhen edhe mafia, kanë veprimtari mjaft aktive ekonomike në Mitrovicë dhe veçohen për bashkëpunim ndëretnik të nivelit të lartë që lë për të lakmuar edhe në baza rajonale.
Ne nuk duhet të rrezikojmë këtë bashkëpunim kolosal ekonomik për hir të një kinse bashkimi formal të qytetit ku qytetarët do të lëviznin lirshëm. Ne besojmë se ekonomia është më e rëndësishme se lëvizja e qytetarëve poshtë e lartë, e posaqërisht kur ky aktivitet ekonomik e ngërthen edhe elementin e bashkëpunimit ndëretnik, ka pohuar Kryeministri Visar Arifaj në prani të nënkryetarëve dhe gazetarëve që kishin vizituar pjesën veriore të Mitrovicës.
Më tutje u potencua edhe fakti që ky lloj veprimtarie bashkëpunuese e organizatave Shqiptare dhe Serbe (që ndryshe quhen edhe mafia) gjatë mandatit qeverisës të PF-së do të mbrohet edhe me ligj. Dhe do të ofrohet qarkullimi i lirë i mallrave për ta jo vetëm në kufirin verior po edhe në pikat tjera kufitare të Kosovës.
Sipas planit tonë ura e Ibrit do të shkatërrohet, sepse është e vetmja urë në Mitrovicë që po shkakton ndarje dhe nuk po funksionon. Në këtë mënyrë edhe do ti zhdukim barikadat si problem, ka thënë më tutje Arifaj.
Si që e thash edhe me heret qytetarët mund të lëvizin edhe vetëm ne pjesën jugore ose vetëm ne pjesën veriore kjo është çështje jo me rëndësi shumë të madhe. Me rëndësi është ekonomia dhe zhvillimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit ndëretnik ne mes të organizatave Politiko Financiare të themeluara në baza farefisnore, pra mafia, në të dy anët e lumit, ka përfunduar fjalimin e tij Kryeministri Arifaj.
Ndërkohë që gjatë okupimit ka folur edhe nënkryetari nga Mitrovica Visar Kasa i cili ka thënë se tash pas okupimit të Mitrovicës përfundimisht është hapur rruga për të okupuar tërë Kosovën.
Kjo pjesë e ekspeditës u përfunda duke potencuar që ekonomia mbetet pjesë kryesore e programit qeverisës së PF-së VIZIONI I RI, dhe se qyteti në kuptimin fizik edhe ashtu pritet që të bashkohet në disa vitet e ardhshme për shkak të shterjes së lumit Ibër si rezultat i ngrohjes globale.