18 Janar 2025

Partia e Fortë inaguron Sheshin Zahir Pajaziti

Prishtinë, 24 shtator - Partia e Fortë inaguroi Sheshin Zahir Pajaziti, njërin ndër projektet madhore të partisë të mbështetur nga qytetarët.

Në prezencë të nënkryetarëve, votuesve dhe mediave, Kryetari Lexhendar preu shiritin e kuq, një gjest ky simbolik për aktin gjeneroz të dhurimit të një bulevardi metropolitano-evropian, që Partia e Fortë ia dhuroi elektoratit, mu në prag të zgjedhjeve komunale.

Të pranishmit u nderuan me një fjalim emocionues të Lexhendarit Arifaj, i cili më pas ndaloi në secilin aspekt investues veçmas, për të ofruar një vrojtim dhe transparencë të këtij bashkëpunimi historik të partisë me qytetarin.

“Ju mund të shihni se si ujërat me hedhje vertikale hidhen nga kënde të ndryshme por bashkohen në një pikë, simbol ky i qëllimeve tona për integrime indo-evropiane.” tha Kryetari Lexhendat Visar Arifaj.

Në këtë moment historik për Prishtinën, keni nderin të lexoni dhe shkëputni pjesë nga fjalimi i plotë i kryetarit drejtuar masave me këtë rast:  

“Të nderuar qytetarë Sot jemi mbledhur këtu për ta inauguruar Sheshin e Ri, Zahir Pajaziti. Ky shesh është simbol i zhvillimit të vazhdueshëm të qytetit të Prishtinës i cili synon të bëhet një qytet i zakonshëm i Europës. Kjo do të jetë hapësira ku jeta e qytetarëve do të lulëzojë. Ku fëmijët mund të lozin e pse jo edhe të rrëzohen nganjëherë, pasi që vetëm kështu mund të rriten e të bëhen të fortë. Kjo është vetëm një dhuratë e vogël nga Partia e Fortë për votuesit e Prishtinës.

Është e pamundur për mua ta përshkruaj këtë ndjenjë kur shkoh kaq shumë fytyra të buzëqeshura dhe të lumtura pas tërë kësaj pune që është kryer deri tani. Për çfarëdo pune të mundimshme që kërkohet me ne, ky është kompensimi më i këndshëm.

Pjesë integrale e këtij sheshi, kuptohet, janë edhe ujërat me hedhje vertikale (apo fontanat siç i quan populli) duke e pasë parasysh se këto zënë një vend të rëndësishëm në politikat tone zhvillimore urbanistike, për të cilat edhe kemi vendosur që ta krijojmë drejtori të veçantë. Diodat ndriçuese (LED) shumë-ngjyrëshe në këtë shesh, sikurse në Sheshin Ibrahim Rugova, përveç ndjenjes festive që e jepin, krijojnë edhe një konsistencë me ato të përdorura në lokalet e lojërave të fatit të cilat më së miri simbolizojnë optimizmin dhe shpresen e këtij populli.

Këto pllaka gri, të vendosura me kaq kujdes, me nuanca të ndryshme, të vendosura në një mënyrë që në shikim të parë mund të duket krejtësisht arbitrare, bazohen në parimin arkitektural Monochromatic Diarrheticae të distribuimit në hapësirë, i cili përveç thyerjes së monotonisë gjatë ecjes përmes saj, ndikon dukshëm në zbutjen e simptomeve tek njerëzit me Çrregullime Obsesive-Kompulsive.

Në anën tjetër, drejtimi i vendosjes së këtyre pllakave që vazhdojnë nga Sheshi Nëna Terezë deri tek Rruga Xhorxh W. Bush, qëndron në një kënd diagonal me drejtimin e ecjes së njerëzve, gjë që instiktivisht nxitë fenomenin “ecja e gaforrës” apo anësore, në gjuhë të zakonshme. Kjo ndikon që njerëzit duke kaluar mbi këtë shesh to mos jenë të fokusuar vetëm tek caku i tyre përtej sheshit, por edhe të jenë të kthyer kah njëri tjetri e të shkëmbejnë përshëndetje rasti.

Ky është vetëm një kontribut modest prej 4,4 milionë eurosh për qytetin e Prishtinës, nga qytetarët - për qytetarët, andaj në fund të fundit vetë ju jeni ata që duhet të falenderoheni. Ne i marrim vetëm meritat.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)