Partia e Drejtësisë themeloi degë edhe në Deçan
Deçan, 3 maj - Partia e Drejtësisë tani e tutje do të jetë prezente edhe zyrtarisht në qytetin e Deçanit, ngase të shtunën ka themeluar degën, kryetar i së cilës u zgjodhë Halil Maloku.
Po ashtu në këtë Kuvend Zgjedhor u zgjodhë edhe kryesia e re dhe delegatët që do të marrin pjesë në Kuvendin Qendror të PD-së, që pritet të mbahet në mesin e muajt qershor.
Kryetari i porsazgjedhur i kësaj dege, Halil Maloku, deklaroi se, nga sot qytetarëve të Deçanit me rrethinë po i ofrohet një mundësi më tepër, duke shtuar se programi dhe vlerat që i posedon PD-ja, i hapin rrugë ndryshimeve në këtë komunë.
Ai po ashtu u zotua se do të bëjë përpjekje që kjo parti të gjejë shtrirje në tërë territorin e kësaj komune.
Në këtë kuvend i pranishëm ishte edhe kryetari i PD-së, Ferid Agani, që njëherësh është edhe ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i cili përgëzoi kryetarin e porsazgjedhur dhe njëkëhësisht potencoi se ky kuvend është dëshmi se PD-ja po rritet dhe po gjen përkrahje nga qytetarët e Kosovës.
Sipas tij, PD-ja është e vetmja parti që në programin e saj ka të inkorporuar vlerat kombëtare, fetare dhe evropiane, dhe si të tilla synon t\'i ruajë dhe kultivoi edhe në të ardhmen.
Në vazhdën e procesit të brendshëm zgjedhor, Partia e Drejtësisë, ka mbajtur edhe Kuvendin Zgjedhor në degën e Malishevës, ku edhe për një mandat posti i kryetarit iu besua Rifat Kryeziut.
Po ashtu mbi 70 delegatë që morën pjesë në kuvend, zgjodhen edhe kryesinë e re të kësaj dege, si dhe përcaktuan delegatët që do të marrin pjesë në Kuvendin Qendror të partisë.