Parlamenti i ri, konstituohet me 18 korrik
Prishtinë, 6 korrik - Zyrtarë të Presidencës së Kosovës, kanë bërë me dije që Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ndodhet mes dy dilemave. Të shpallë së pari mandatarin për themelimin e qeverisë apo datën e konstituimit të Parlamentit Kosovës.
"Pavarësisht se cili do të jetë vendimi i parë i Presidentes Jahjaga, dita e konstituimit të Kuvendit të ri të Kosovës, mund të jetë pas dy javësh,me 18 korrik.
Presidentja dhe stafi i saj janë në dilemë se cilin veprim duhet ta marrin të parin, shpalljen e mandatarit për themelimin e qeverisë apo datën e konstituimit të kuvendit. Ende nuk është marrë ndonjë vendim rreth kësaj.
Sidoqoftë, në ditët në vijim pritet të qartësohet situata", tha njëri prej këshilltarëve të Presidentes , duke mos preferuar të citohet zyrtarisht për shkak të ndjeshmërisë së situatës.
Sipas tij, megjithatë konstituimi i Kuvendi të ri, pritet të bëhet brenda dy javësh dhe me shumë mundësi, do të jetë dita e premte, 18 korrik. Zyrtarisht, ka qenë e pamundur të kontaktohet me stafin për informim të Presidencës për t`i rikonfirmuar thënjet e këshilltarit të tyre.
Presidentja e Kosovës, pranoi rezultatin e certifikuar të zgjedhjeve, me Partinë Demokratike të Kosovës si fituese të zgjedhjeve ndërsa ditë më parë mori interpretimin kushtetues nga Gjykata Kushtetues për mandatarin e qeverisë.(RTK)