Parlamenti i pakicave, minoritetet mund ti kenë 22 deputetë
Prishtinë, 12 mars - Në kohën kur është hapur debati rreth vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që Kuvendit mund t`i shtohen edhe dy ulëse tjera të rezervuara. Kjo ndodhë nëse shtetit i shtohen edhe dy komunitete, malazez dhe ai kroat.
Kërkesat e malazezëve dhe kroatëve që edhe atyre t`iu njihet e drejta si komunitet në Kosovë, mund ta qojë, në të paktën 22 numrin e vendeve të rezervuara në Kuvend. Njohësi i kësaj çështje, Albert Krasniqi, thotë për Radio Kosovën se nëse hapet pakoja atëherë medoemos duhet të futën edhe këto dy çështje tjera që janë duke pritur në radhë.
Është çështja e komunitetit malazez por edhe atij kroat të cilët duhet të përfshihen në komunitetet e vendeve të rezervuara. Kjo madje mund të na qojë edhe deri te rritja e numrit të vendeve nga 20 të paktën në 22 vende ose më shumë, për shkak se asnjë nga komunitetet tani që kanë vende të rezervuara nuk mund të pranojnë që të heqin dorë nga këto të drejta që i kanë dhe ato t`i lëshojnë për komunitete tjera që do të përfshihen në kushtetutë.
Në anën tjetër, kryetari i shoqatës së malazezëve të Kosovës dhe forcave të reja, Slobodan Vujiqiç, i tha Radio Kosovës se ky komunitet pret që në legjislaturën e ardhshme të përfaqësohen të paktën me një deputet.
Ne presim që të paktën të fitojmë një vend pasi edhe është në përputhje me numrin e banorëve malazez në Kosovë. Siç dihet komuniteti malazez ka qenë i përfshirë edhe në Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974 dhe kemi qenë komuniteti i tretë për nga numri. Nga regjistrimi i fundit numri i barorëve malazez ka qenë 27 mijë.
Ndërkohë analisti Albert Krasniqi thotë se Kosova ka shkuar përtej pakos së Ahtisarit, që ka parapa për të drejtat e komuniteteve. Sipas tij, komunitetet janë avancuar deri në atë masë sa që duhet nënshkruar edhe me kompromise tjera.
Nuk është ndoshta problemi që këto të drejta të gëzohen për një periudhë të caktuar derisa të përmirësohet kjo gjendje pro janë edhe çështje tjera se çdo ndryshim kushtetues duhet t`i ketë edhe dy të tretat e komuniteteve. Praktikë e keqe që mund të krijohet është se çdo avancim i shtetësisë së Kosovës po duhet të bëhet me një kompromis me komunitetet që po jetojnë në Kosovë.
Ndryshe, Kushtetuta e Kosovës njeh pesë komunitete pakicë, komunitetin serb, turk, boshnjak, romë dhe komunitetin goranë. Të pesë këto komunitetet i kanë vendet e tyre të garantuara në Kuvendin e Kosovës. rtk