Papunësia, korrupsioni problemet kryesore në vend
Prishtinë, 15 shtator - Lëvizja FOL në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Prishtinë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, mbajti konferencën Vlerësimi i Nivelit të Korrupsionit dhe Shërbimeve Publike në Kosovë, në të cilën u bë prezantimi i të gjeturave të hulumtimit të opinionit publik në lidhje me nivelin e korrupsionit dhe shërbimeve publike në vend.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, tha se ky Hulumtim ka si qëllim identifikimin e problemeve kryesore në vend sipas qytetarëve të Kosovës, perceptimin dhe përvojat e tyre në lidhje me nivelin e korrupsionit në vend, përvojat e tyre në lidhje me shërbimet publike si shëndetësia dhe arsimi, pastaj përvojat e qytetarëve në institucione si: Prokuroritë e Kosovës, Gjykatat dhe Policia.
Fidan Kalaja, Drejtor i Programeve në Lëvizjen FOL, bëri prezantimin e të gjeturave të hulumtimit. Sipas tij, në këtë hulumtim qytetarët e Kosovës në renditjen e përgjithshme rreth 52.80% e qytetarëve të Kosovës papunësinë e konsiderojnë si problemin kryesor në vend. Ndërkaq 39.50% e qytetarëve e mendojnë korrupsionin si problem kryesor, dhe 34% e qytetarëve e shohin performancën e dobët të Qeverisë së Kosovës si njërin nga problemet kryesore në vend.
Në anën tjetër Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Ruairi OConnell ka thënë se zyrtarë të institucioneve të Kosovës janë deklaruar për luftë kundër korrupsionit, por rezultatet nuk tregojnë progres. Rezultatet e raportit janë të turpshme dhe të papranueshme, të cilat pengojnë zhvillimin ekonomik. Qeveria e Britanisë është e interesuar që Kosova të jetë shtet i qëndrueshëm dhe ligjor, tha ai.
Ndërkaq, Drita Hajdari nga Prokuroria Speciale e Kosovës tha se, shoqëria civile dhe mediat duhet që të ndihmojnë në luftimin e korrupsionit. Ajo ka thënë se janë tejet shqetësuese rastet e përfshirjes së gjykatësve dhe prokurorëve në raste korruptive.
Marta Gazideda nga UNDP, tha se të dhënat e raportit janë tejet shqetësuese. Sipas saj përfshirja e grave në vendimmarrje, me siguri që do të ndihmonte në uljen e nivelit të korrupsionit në vend.