Papunësia e korrupsioni shqetësime qe shkaktohen nga PANqeveria
Prishtinë, 5 prill - Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar sot tubimin me qytetar në Komunën e Vushtrrisë kundër PANhajnisë dhe për zgjedhje të reja.
Albin Kurti kryetar i Vetëvendosjes ka thënë se brengat kryesore të qytetarëve të Kosovës, nëpër çdo anketë, janë papunësia e korrupsioni.
Të dyja këto shqetësime sipas tij shkaktohen nga qeverisja e korruptuar dhe e keqe, nga PANqeveria.
"Nga skandalet e përditshme te rehatimet e familjarve e deri te milionat si dëmshpërblime nëpër kompanitë e huaja e pushimet super luksoze, kjo PANqeveri me të drejtë mund të quhet PANhajni", ka theksuar Kurti.
Kurti konsideron se Republikës së Kosovës i duhet një mendësi e re qeverisëse që kthen shpresën për të jetuar në vend, që taksat e qytetarëve nëpërmjet buxhetit i kthen në zhvillim dhe mirëqenie.
Kosova sipas tij jo vetëm që nuk ka më kohë për të humbur, por tashmë ka humbur shumë kohë.
"Angazhimi e mobilizimi qytetar gjithandej nëpër Kosovë është hapi i parë për të larguar këtë mendësi të gabuar nga pushteti."
"Nga qyteti në qytet, nga tubimi në tubim, së bashku me qytetarët e Republikës do të tregojmë se vullneti i popullit të Kosovës është për të ndryshuar", theksoi Kurti.