Papa Françesku përfundon vizitën në Shqipëri
Tiranë, 21 shtator - Papa Françesku ka përmbyllur vizitën njëditore në Shqipëri. Ka qenë pikërisht ora 19:53, kur avioni i Papa Françeskut ka lënë tokën shqiptare.
Një moment tepër i veçantë, pak përpara largimit të Papës, ishte ai kur Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit, solli në ambientet e sallës VIP në Rinas, djalin e sapolindur të çiftit kryeministror, Zaho Rama, për ta marrë bekimin e Atit të Shenjtë.
Pas këtij momenti, kryeministri Rama, anëtarë të Qeverisë dhe drejtues të Kishës Katolike në Shqipëri, përcollën në Rinas, Papa Françeskun, duke shënuar kështu edhe fundin e kësaj vizite njëditore që kreu i Vatikanit zhvilloi në Shqipëri. Vizita e Papa Françeskut konsiderohet historike për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Mesazhe të forta u dhanë gjatë kësaj vizite për të rinjtë shqiptarë e krerët e komuniteteve fetare. (TCH)