PAN me 39 deputetë, LVV 32 dhe LDK-AKR-Alternativa 29
Prishtinë, 29 qershor - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatet përfundimtare të zjedhjeve të prakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që u mbajtën më 11 qershor 2017.
Fillimisht, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka falënderoi të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që morën pjesë në këto zgjedhje, duke treguar para botës shembullin e vendit tonë për zgjedhje të lira, demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
Po ashtu, Daka falënderoi edhe institucionet tjera të Republikës së Kosoës dhe ato ndërkombëtare për ndihmën që kanë dhënë gjatë këtij procesi zgjedhor.
Në fund të konferencës, u bë e ditur se duke filluar nga tani fillon të rrjedhë afati 24 orësh për subjektet politike dhe kandidatët për të bërë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Koalicioni PAN ka fituar 245.646 vota apo 33,74%, Lëvizja VETËVENDOSJE ka fituar 200.138 vota apo 27,49%, kurse koalicioni LDK-AKR-Alternativa 185.892 vota apo 25,53%, derisa Lista Serbe ka fituar 44.578 vota apo 6,12%.
Koalicioni PAN do të ketë 39 mandate, LVV 32 mandate, LDK-AKR-Alternativa 29 mandate, Lista Serbe 9 mandate, Partia Demokratike Turke 2 mandate, Koalicioni Vakat 2 mandate, kurse nga një mandat do të kenë Partia e Re Demokratike, Partia Liberale, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës, Partia e Ashkalinjve për Integrim, Partia Liberale Egjiptiane, Partia Rrome e Bashkuar e Kosovës.