PAN kërkon një takim konsultativ javën që vjen
Prishtinë, 4 gusht - Edhe pas takimit konsultativ të shefave të grupeve parlamentare nuk është arritur nodnjë pajtim për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Enver Hoxhaj, shef i grupit parlamentar të PDK-së, ka thënë duhet koordinim politik para se të shkohet në vazhdimin e seancës. Hoxhaj ka propozuar një tjetër takim konsultativ të mërkurën e ardhshme. Ai është shprehur se PAN është koalicion fitues dhe i takon e drejta për ta propozuar kryetarin e Kuvendit.
Ai ka përsëritur qëndrimin se PAN mund të heqë dorë nga kandidatura e Kadri Veselit dhe zëvendësimin e tij me një emër të ri me kusht që të votohet edhe kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj.
Ndërsa Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes ka thënë se nuk do të marrin pjesë në ndonjë takim tjetër konsultativ në mes partive. Po ashtu, Konjufca është shprehur kundër votimit në pako për dy postet, edhe kryetarin e parlamentit edhe kryeministrin.