Palmer thekson përkrahjen e mëtejshme të SHBA-ve për Kosovën
Prishtinë, 23 tetor - Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa bashkë me nënkryetarët, Agim Veliu, Lutfi Haziri dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti janë takuar me z. Matthew Palmer, zëvendës ndihmës Sekretar i shtetit të SHBA-ve dhe znj. Colleen Hyland e ngarkuar me punë në Ambasadën Amerikane.
Kryetari Mustafa bisedoi për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, qëndrimet e LDK-së dhe për përkrahjen e shtetit amerikan për Kosovën.
“Kosova do t’ju jetë përherë mirënjohëse për kontributin tuaj të pazëvendësueshëm për popullin dhe shtetin e Kosovës”, ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Matthew Palmer e falënderoi kryetarin Mustafa për pritjen duke inkurajuar LDK-në të ketë rol konstruktiv në zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës.
Ai poashtu, theksoi përkrahjen e mëtejshme të SHBA-ve për Kosovën në të gjitha fushat.