Pakënaqësitë qytetare, vazhdojnë të thellohen
Prishtinë, 15 mars - Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), ka bërë të ditur se me shqetësim të thellë ka përcjellur zhvillimet e fundit politike në vend, sidomos ato që ndërlidhen me procesin negociator, por edhe frustrimet e vazhdueshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës, me jetën e rëndë sociale që u theksua sidomos pas faturave të fryera të KEK-ut dhe protestat qytetare kundër tyre.
Dr. Ukë Berisha, Kryetar PSHDK-së ka thënë së këto probleme të grumbulluara ndër vite, po theksohen edhe më shumë nga fakti se institucionet e tona po ballafaqohen qe një kohë të gjatë me krizën e legjitimitetit si rezultat i një demokracie të brishtë në vend.
Në një anë, për derisa institucionet e vendit janë koncentruar kryekëput në dialogun me Serbinë, në anën tjetër, sipas tij pakënaqësitë qytetare, vazhdojnë të thellohen, për shkak të papunësisë së madhe dhe një ekonomie që ska krijuar mirëqenie për të gjithë.
Berisha ka theksuar se kjo gjendje, ka krijuar jo pak frustrime në Kosovë, të cilat duhet të merren seriozisht dhe të cilave duhet përgjigjur me seriozitetin maksimal.
PSHDK-ja, si parti që ka në epiqendër njeriun dhe dinjitetin e njeriut, vlerëson se atëherë kur dobësohet individi dhe familja, dobësohet shoqëria dhe shteti.
\"Ne vlerësojmë se kjo krizë, është rezultat i asaj se Kosova këto vite ka ndjekur politika jo të mira ekonomike, në raport me shpërndarjen e ekonomisë, mosdhënien e llogarisë dhe mbrojtjen e qytetarit\", ka theksuar Berisha.
Protestat e fundit për faturat e KEK-ut, ato që shprehin pakënaqësitë qytetare, e sidomos ato që lidhen me gjendjen sociale në vend siç ka thënë Berisha, janë sinjale tepër serioze, që duhen marrë në konsideratë, në mënyrë që shteti ynë të vihet në shërbim të së mirës së përgjithshme dhe të zgjedh problemet e qytetarëve dhe mos të bëhet assesi problem për qytetarët.
Mos gatishmëria për ndëshkim ndaj atyre që në çdo formë abuzojnë me qytetarët sipas tij është një sinjal i keq, që nuk i ndihmon vendit tonë në këtë kohë kur po bëjmë shtetin.
Në një kohë kur të gjitha institucionet e vendit janë të koncentruara dhe të preokupuara me çështjen e dialogut, po mbeten shumë çështje jashtë fokusimit të duhur.
Prandaj, PSHDK-ja vlerëson se mos dhënia e një përgjigje të qartë për faturat e KEK-ut, është një anashkalim i dinjitetit të qytetarit dhe kjo politikë nuk i shpërbën forcimit të shtetit të Kosovës.
\"Ne vlerësojmë se për Kosovën, asgjë nuk është më e rëndësishme sesa qytetarët e sajë, jeta e tyre dhe mirëqenia e tyre, prandaj shteti i Kosovës duhet të koncentrohet më shumë në çështjet e rëndësishme të jetës së qytetarëve dhe në mbrojtjen e familjes, sepse kështu krijojmë parakushte të nevojshme për një shtet stabil, një mirëqenie dhe të prosperuar\", ka pohuar Beerisha.
\"Ndërsa dobësimi i individit dhe familjes, dobëson edhe shtetin dhe kështu krijon disbalance brenda shoqërisë sonë.\"