Pakënaqësitë e pensionistëve të akumuluara me vite
Prishtinë, 20 prill - Në kërkim të zgjidhjes sa më të mirë për realizimin e të drejtave të Sindikatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Ismet Beqiri, kryetar i komisionit, organizoi sot dëgjim publik.
Në këtë dëgjim publik, përpos përfaqësuesve të sindikatës ishin të pranishëm edhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen dhe Lirit e të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ), Pajazit Nushi, dhe Ramadan Ademi, kryetar i Sindikatës së Kombinatit Trepça.
Kryetari Beqiri, pasi përshëndeti të pranishmit, i siguroi ata se komisioni që ai drejton, është i angazhuar dhe do të bëj çmos që kërkesat legjitime të sindikalistëve të realizohen.
Shqetësimet e Sindikatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës, para komisionit i paraqiti kryetari i kësaj sindikate prof. Fatmir Fehmiu. Ai tha se pakënaqësitë e pensionistëve janë të akumuluara me vite, prandaj është koha e fundit që të ndërmerret diçka që do të ndikonte në përmirësimin e gjendjes së tyre.
Duke folur për peticionin e nënshkruar nga ana e tyre, Fehmiu theksoi: Kemi dashur të sinjalizojmë dhe tërhequr vërejtjen organeve kompetente për realizimin e të drejtave të pensionistëve dhe të invalidëve të punës. Peticionin e kanë nënshkruar mbi 400 pensionistë, dhe ai po vazhdon të nënshkruhet, theksoi Fehmiu.
Në vazhdim të fjalës së tij ai vuri në pah se peticioni i nënshkruar nga sindikata përmban 14 kërkesa, të cilat presin të realizohen nga Qeveria. Ndër kërkesat që kryetari Fehmiu vuri në spikamë, e që përmban edhe peticioni i nënshkruar nga ta ishin: Të zbatohen rekomandimet për pensionistët (të shpallura nga Kuvendi i Kosovës më 07. 07. 2005); të revokohen të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore diskriminuese, me të cilat cenohen të drejtat e punonjësve, si dhe të zbatohet ligji për sigurimin pensional e invalidor.
Në fjalën e tij kryetari i KMDLNJ-së Pajazit Nushi tha se, i përkrah kërkesat e Sindikatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës. Debatet si ky janë të mirëseardhura, dhe do të dëshiroja që një debat i tillë të organizohet për të diskutuar edhe për fatin e të zhdukurve dhe të pagjeturve u shpreh Nushi.
Gjatë debatit, një pasqyrë për gjendjen tejet të rëndë të Sindikatës së Kombinatit Trepça, paraqiti kryetari i kësaj sindikate, Ramadan Ademi. Ai tha se, anëtarëve të kësaj sindikate u mungojnë edhe gjërat elementare, dhe bëri thirrje që sa më parë të ndërmerret diçka për përmirësimin e gjendjes së tyre.
Pas debateve që u bënë me këtë rast, anëtarët e komisionit falënderuan përfaqësuesit e sindikatës për informimin që i bënë komisionit, dhe u premtuan atyre se komisioni do të angazhohet për realizimin e të drejtave të tyre. Po ashtu, komisioni vendosi që në mbledhjen e ardhshme të formulojë rekomandimet e dala nga debati i sotëm dhe tia paraqes Kryesisë së Kuvendit.