Pajtohen me OSBE-në për zgjedhjet lokale
Prishtinë, 14 qershor - Delegacioni i Kosovës në Bruksel dhe ai i OSBE-së kanë arritur pajtueshmëri për marrëveshjen, e cila ka për qëllim lehtësimin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri të Kosovës.
Kështu ka thënë për gazetën, zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri. Sipas saj, gjatë ditës së enjte po ashtu është biseduar për çështjen e drejtësisë, sigurisë, asociacionit, ku sipas Tahirit, fokusi i veçantë ka qenë integrimi i gjykatësve serbë në institucionet e Kosovës dhe zhbërja e strukturave paralele në veri.
Në kuadër të çështjes së drejtësisë fokusi ka qenë tek integrimi i individëve serbë, të cilët kanë shprehur interesimin për tu integruar në institucionet e Republikës së Kosovës në fushën e drejtësisë, si dhe ka pasur përparim në drejtim që pala serbe, përkatësisht Serbia do të dalë me një vendim me të cilin do të mbyllen të gjitha gjykatat paralele, si dhe do të ndalet pagesa e deritashme për këto struktura ilegale, ka treguar Tahiri.
Ajo ka thënë se çështje tjetër e këtyre bisedimeve ka qenë edhe integrimi i policëve serbë në Policinë e Kosovës, i cili sipas Tahirit do të bëhet në bazë të kritereve dhe ligjeve të Kosovës dhe se, sipas saj, të gjithë ata që dëshirojnë të integrohen në Policinë e Kosovës duhet ti plotësojnë këto kritere. Po ashtu, sipas saj, Serbia duhet të marrë vendim që të ndalojë financimin e strukturave paralele në fushën e drejtësisë dhe sigurisë.
Do të jetë një marrëveshje për planin e detajuar të zbatimit të marrëveshjes për normalizim dhe në kuadër të kësaj marrëveshje, pra një prej çështjeve do të jetë që Serbia përkatësisht Qeveria e Serbisë duhet të marrë vendim që ta ndalë financimin e strukturave ilegale në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë, ka deklaruar Tahiri për Zërin. Si pikë tjetër e këtij takimi ka qenë edhe krijimi i asociacionit në katër komunat veriore, dhe se, sipas Tahirit, janë përfunduar pothuajse të gjitha procedurat e krijimit të ekipit menaxhues.
Për sa i takon asociacionit, kemi përfunduar gati të gjitha procedurat rreth krijimit të ekipit menaxhues. Ekip ky i cili ka për obligim që të përgatisë procesin e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në katër komuna dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës pas arritjes së pajtueshmërisë do të bëjë emërimin e katër anëtarëve të ekipit menaxhues, ku secili do të jetë përfaqësues i njërës nga këto katër komuna, ka deklaruar ajo.
Në ditën e enjte si takim i rëndësishëm ka qenë ai mes përfaqësuesve të KQZ-së dhe OSBE-së në lidhje me zgjedhjet lokale që do të mbahen në Kosovë, e që sipas Tahirit është arritur marrëveshja që OSBE të ndihmojë KQZ-në në realizimin e zgjedhjeve në katër komunat veriore.
Përfaqësuesit e KQZ-së dhe OSBE-së i kanë pasur disa takime gjatë ditës dhe çështjet që janë diskutuar kanë qenë të ndërlidhura me definimin e rolit lehtësues të OSBE-së gjatë mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë.\"
\"Mirëpo roli i OSBE-së siç ju kemi informuar do të jetë konform marrëveshjes për normalizim dhe është i lidhur vetëm për katër komuna. Pra OSBE do të ndihmojë KQZ-në në realizimin e zgjedhjeve në katër komunat e veriut të vendit tonë.\"
\"Ne kemi mirëpritur gatishmërinë e OSBE-së për të marrë një rol lehtësues, por zgjedhjet lokale do të mbahen në të gjithë Kosovën do të shpallen në mënyrë zyrtare nga institucionet e Republikës së Kosovës. KQZ-ja është ajo e cila sipas mandatit të vet do të realizojë procesin zgjedhor në tërë Kosovën, kurse OSBE-ja në këtë rast do të ketë një rol mbështetës apo ndihmues, ka deklaruar për Zërin Tahiri.