Pacolli vazhdon lobimin për njohjen e Kosovës
Prishtinë, 8 shtator - Presidenti i Aleancës Kosova e Re, (AKR), Behgjet Pacolli po vazhdon lobimin përkundër mos mirënjohjes nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, (MPJ).
Zyra e mediave në AKR njofton përmes një komunikate se Pacolli është takuar me disa ambasadorë të vendeve të ndryshme që ti bind për njohjen e shtetit të Kosovës. Aktivitetet lobuese të z. Behgjet Pacolli në emër të Kosovës, thuhet në njoftimin e AKR-së, përkundër që MPJ-ja ka kërkuar që Pacolli të mos thirret në emër të Kosovës.
Në ditën e dytë të takimeve të tij lobuese, Behgjet Pacolli u takua me disa ambasadorë të shteteve të ndryshme, në Ambasadat e tyre në Nju Jork. Pacolli me secilin ambasador prezantoi në detaje një gamë të gjerë të çështjeve të Kosovës dhe më e rëndësishmja votimin e ardhshëm të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe njohjet, thuhet në njoftimin e AKR-së.
Pacolli në një fjalim të hollësishëm me secilin ambasador argumentoi mbi arsyet se përse duhet të kundërshtohet çdo rezolutë serbe. Ai bëri thirrje gjithashtu për njohjen e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.
Në këto takime, Pacolli ka marrë konfirmimet se vendet që këta ambasadorë përfaqësojnë do ta mbështesin iniciativën e Pacollit për të hedhur poshtë çdo rezolutë serbe. Gjithashtu, ambasadorët e garantuan Pacollin se ata do të informojnë qeveritë e tyre për ta njohur Kosovën.