Pacolli të hënën i dorëzon Krasniqit postin e Presidentit
Prishtinë, 2 prill - Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Jakup Krasniqi ditën e hënë merr postin e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit të Kosovës. Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi për herë të dytë është caktuar në detyrën e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës.
Ai vjen në këtë detyrë, pasi që Gjykata Kushtetuese shpalli të paligjshëm presidentin e sapozgjedhur Behgjet Pacolli, për shkak të shkeljeve ligjore nga ana e deputetëve në ditën e zgjedhjes së tij më 22 shkurt të këtij viti.
Kryetari i Parlamentit, Krasniqi do te marr detyrën të hënën, dhe kjo u bë e ditur nga presidenca vetëm pak para mesnatës, pas njoftimit të djeshëm se ceremonia e pranim-dorëzimit do të bëhej sot në mëngjes në zyrën e presidentit.
Me kërkesë të presidentit të deritashëm, Behgjet Pacolli, për shkaqe objektive, dorëzim-pranimi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës nga Behgjet Pacolli te kryetari i Kuvendit, njëkohësisht Ushtrues i Detyrës së Presidentit, Jakup Krasniqi, nuk do bëhet ditën e shtunë, datë 2 prill, siç ishte planifikuar, por do të bëhet të hënën, datë 4 prill 2011, në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit., thuhet në njoftimin e Presidencës.
Përgjigjja e dytë e Gjykatës Kushtetuese në kërkesat e kuvendit, qeverisë dhe presidencës sqaron se Kosova ka ushtrues detyre të Presidentit që prej 31 marsit.