Pacolli s'ka vendosur nëse do të garoj për president
Megjithatë, Pacolli ka thënë se për kandidaturën e tij për president të AKR-së do ta respektojë vendimin e Kuvendit të Partisë, i cili do të mbahet në muajin shtator.
Aleanca Kosova e Re (AKR), Kuvendin Zgjedhor të Partisë do ta mbajë në muajin shtator, në të cilin do të ketë më shumë sesa një kandidat për të parin e partisë. Mendoj se deri atëherë ka kohë të mjaftueshme për ta marrë një vendim nëse do të pranoj apo jo të kandidoj për president të AKR-së. Momentalisht ende nuk kam vendosur se a do të jem kandidat, ka thënë të martën Behgjet Pacolli për Epokën e re.
Në këtë kontekst, Pacolli ka bërë me dije se do ta marrë një vendim në rast se Kuvendi i AKR-së konsideron se ai duhet të jetë përsëri president i partisë. Në rast se Kuvendi e vlerëson se unë duhet të jem përsëri president, atëherë do ta marr një vendim, ka deklaruar Pacolli.
Sido që të jetë, ai ka thënë se e vlerëson shumë qëndrimin e Kryesisë së AKR-së, e cila ka marrë vendim që Behgjet Pacolli të jetë kandidat i vetëm për kryetar të partisë. E kam parë qëndrimin e Kryesisë së AKR-së, të cilin e vlerësoj shumë, mirëpo ende skam qëndrim lidhur me kandidaturën për president të AKR-së, ka theksuar Pacolli.
Kryesia e Aleancës Kosova e Re (AKR) ditë më parë ka propozuar për kryetar të saj Behgjet Pacollin. Në njoftimin për medie të kësaj partie është thënë se Kryesia e AKR-së, unanimisht është pajtuar që Behgjet Pacollin ta kandidojë për të parin e partisë.
Kryesia e ngushtë e AKR-së, pas bisedave edhe me kryetarët e degëve të saj, ka vendosur që kandidat të vetëm për kryetar të partisë ta propozojë Behgjet Pacollin. Kjo kryesi kërkon të marrin fund spekulimet në medie lidhur me kandidatët e ndryshëm që mund të jenë kryetar të AKR-së, është thënë në njoftimin e Kryesisë së AKR-së.
Ish-kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha përgjegjësitë partiake më 22 shkurt të këtij viti, pas zgjedhjes president i Republikës së Kosovës.