Pacolli shqyrton mundësinë e daljes nga Qeveria
Prishtinë, 6 mars - Behgjet Pacolli po shqyrton mundësinë e daljes nga Qeveria, në mënyrë që nga pozicioni opozitar ta përgatisë partinë e tij për zgjedhjet e ardhshme.
Këto lëvizje të zëvendëskryeministrit vijnë pasi Hashim Thaçi nuk po duket shumë i interesuar për ta mbyllur çështjen e riformatimit të Qeverisë.
Kërkesa e Behgjet Pacollit për të riformatizuar Qeverinë e Kosovës nuk është përfillur nga lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, shkruan Express.
Duket se dinamika e Pacollit nuk po përshtatet me atë të Thaçit.
Pacolli kishte thënë se ndryshimet në Qeveri do të ndodhin më së largu javën që shkoi, ndërsa ndërrimet e ministrave nuk pritet të ndodhin as këtë javë.
Në këtë situatë, Pacollit i kanë mbetur pak mundësi për të manovruar në Qeverinë e Kosovës.
Burime të Express kanë treguar se lideri i AKR-së po e shqyrton mundësinë për të dalë nga koalicioni për shkak se kërkesat e tij asnjëherë nuk po merren parasysh nga Kryeministri Thaçi.
Deri më tash, Pacolli e ka dëgjuar Liderin e PDK-së për të gjitha kërkesat që i ka pasur në raport me Qeverinë. Por, e kundërta ka ndodhur me kërkesat e Pacollit drejtuar Thaçit, ka thënë një zyrtar i AKR-së