18 Maj 2025

Pacolli: Pas reformës zgjedhore, Atifetja të largohet

Prishtinë, 27 prill - Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli e ka cilësuar si veprim të keq largimin e AAK-së nga reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese. Ai ka thënë se me bojkote nuk shkohet përpara, duke i bërë thirrje Ramush Haradinajt të rikthehet dhe të mbështes përfundimin e reformave.

“Me bojkote nuk shkohet përpara. Po të ishte AAK aty, do të shkonim edhe një hap përpara. Partitë tjera që ishin aty kanë qenë shumë bashkëpunuese.”, ka thënë Pacolli, në një prononcim për Express.

“Keq që AAK nuk mbeti aty. Në këtë mënyrë reformat kanë dalë nga Parlamenti dhe nuk di çka lypin në Parlament pa një rezultat të partive politike”, ka shtuar Pacolli.

Zëvendëskryeministri i Parë ka qenë mikpritës i takimit të fundit të liderëve të partive politike. Aty, AAK-ja ishte prezantuar nga Këshilltari i Haradinajt, Avni Arifi, i cili nuk ka qëndruar deri në fund të takim me arsyetimin se asgjë nuk po bëhet në këto takime përveç se po humbet kohë.

Por, Pacolli thotë se pikërisht në takimin e fundit janë arritur disa përparime sa i përket propozimeve për zgjedhjen e Presidentit, zonat zgjedhore, mandatet e deputetëve.

“Për herë të parë kemi shkuar shumë përpara. Deri tash s’kemi pasur ndonjë përparim”, ka shtuar ai.

Lideri i AKR-së ka thënë po ashtu se pret që pas përfundimit të reformës zgjedhore të largohet Atifete Jahjaga nga posti i Presidentes.

Sipas tij, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të përcaktohen në momentin që partitë të pajtohen dhe t’i votojnë reformat në Kuvend.

“Kur të ndodhin reformat, Presidentja në mënyrë të vullnetshme do të tërhiqet, në mënyrë që gjashtë muaj pas përfundimit të reformave ajo do t’ia lëshojë vendin Presidentit të ri dhe do të krijojë mundësinë të shkohet në zgjedhje presidenciale”, ka shtuar ai.

/Express/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)