Pacolli në Tunizi për të diskutuar fillimin e marëdhënieve diplomatike
Prishtinë, 17 janar - Në kuadër të angazhimit diplomatik për sjelljen e njohjeve të reja për Republikën e Kosovës, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Behgjet Pacolli, ka udhëtuar në Tunizi, me ftesë të partisë kryesore në këtë shtet, \"Hizb al Nahdah\" .
Zëvendëskryeministri Pacolli, do të pritet në një drekë pune, nga lideri i kësaj partie Rashid al-Ghannushi, me të cilin do të diskutojë për njohjen e shpejtë të Republikës së Kosovës dhe fillimin e bashkëpunimit diplomatik ndërmjet dy vendeve.
Kjo është vizita e tretë, që zëvendëskryeministri Pacolli zhvillon në Tunizi, ndërsa marëdhëniet e shkëlqyera me partinë \"Hizb al Nahdah\", dhe liderin e saj Ghannushi, kanë filluar që në gusht 2011, para zhvillimit të zgjedhjeve të lira në Tunizi.
Partia e Ghannushi është partia fituese e zgjedhjeve në Tunizi, pas rënies së regjimit diktatorial të Ben Ali.
Në mbrëmjen e po të njëjtës ditë, zëvendëskryeministri Pacolli do të udhëtojë në një shtet tjetër afrikan, nga autoritetet e të cilit shtet mbahet peng një qytetar i Republikës së Kosovës.