Pacolli mund të përballet me Kushtetuesen
Prishtinë, 14 mars - Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli, njësoj si paraardhësi i tij Fatmir Sejdiu, mund të përballet direkt me Gjykatën Kushtetuese.
Kjo pasi që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka filluar të përgatisëpadinë, sipas të cilës pretendohet se Pacolli shkeli Kushtetutën kur votoi për qeverinë, ndonëse pak minuta më herët ishte zgjedhur president.
Zyrtarë të AAK-së kanë deklaruar se gjatë javës së ardhshme pritet ta përfundojnë këtë çështje dhe ta dërgojnë padinë në Gjykatën Kushtetuese, ku do të kërkohet interpretim për veprimin e Pacollit.
AAK-ja ka vetëm 11 deputetë, dhe për ta dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, duhet të mblidhen firmat e të paktën 30 deputetëve. Për këtë arsye AAK nuk mundet e vetme që ta bëjë këtë, sepse duhet mbështetja edhe e partive të tjera opozitare si LDK-ja dhe Vetëvendosje.