Pacolli: FSK-ja e gatshme për misionet jashtë vendit
Prishtinë, 21 dhjetor - Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur sot në një takim, komandantin e FSK-së, Gjenerallejtnant Kadri Kastrati.
Gjatë këtij takimi, zëvendëskryeministri Pacolli ka uruar gjeneral Kastratin për detyrën e re, duke e inkurajuar atë për angazhime të mëtutjeshme në perfeksionimin e aftësive dhe kapaciteteve të FSK-së.
Ai, ka siguruar gjeneral Kastratin, se do të jetë i angazhuar fuqishëm në drejtim të dhënies së kontributit të nevojshëm për Forcën e Sigurisë.
Fsk-ja i ka arritur kapacitetet operacionale, dhe si forcë profesionale tashmë është e gatshme të participojë edhe në misione ndërkombëtare për ruajtjen e paqes, ka thënë Pacolli.
Pacolli gjithashtu, ka theksuar se kapacitetet e FSK-së, sa më parë duhet të plotësohen me helikopterë.
Në anën tjetër, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, ka falënderuar zëvendëskryeministrin Pacolli për gatishmërinë për përkrahje, dhe e ka informuar atë me objektivat kryesor, si komandant i FSK-së. Sipas Kastratit, FSK-ja është duke ecur në rrugën e duhur, drejt një force moderne, sipas parametrave të NATO-s.