Pacolli: Edhe dy njohje po vijnë
Prishtinë, 18 gusht - Krahas aktiviteteve të ngjeshura lobuese në kontinentin e Afrikës, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, i mbështetur nga zyra e tij dhe lobuesit profesional, po drejton një kampanjë të fuqishme me vendet e Oqeanisë dhe shtetet e Caricomit.
"Mund të ju konfirmojmë se kemi sinjale të fuqishme se shumë shpejt do të kemi njohje nga dy vende nga Amerika Qendrore-Caricom. Për hir të respektimit të strategjisë, me emrat e këtyre dy shteteve do të ju njoftojmë me kohë", thuhet në komunikatën për media të kabinetit të Pacollit.
Ndërsa në Prishtinë, një zyrtar i AKR-së, por i veshur me petkun e zyrtarit të lartë të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Ibrahim Gashi ka prezantuar notën verbale të Beninit për njohjen e Kosovës.
Në një konferencë për media, zv.ministri Gashi ka thënë se njohjet e fundit janë rezultat i lobimit të fort dhe të koordinuar të MPJ-së, Qeverisë e vecmas punës së zv.kryeministrit Behgjet Pacolli.
Ai ka thënë se "gjatë ditëve të ardhshme priten njohje të reja". Benini siguroi njohjen e 80-të për Kosovën.