Pacolli arnon koalicionin me deputetë ashkali dhe boshnjakë
Prishtinë, 14 tetor - Koalicioni për Kosovën e Re që drejtohet nga Behgjet Pacolli pas ikjes së dy deputetëve, është përforcuar me dy deputetë të rinj, vetëm e vetëm për të shpëtuar Qeverinë e kryeministrit Hashim Thaqi.
Dy deputetët e KKR-së, Muhamet Mustafa nga Grupimi E 15 dhe Amir Ahmeti nga Partia e Drejtësisë u larguan nga fundi i kësaj jave, me arsyetimet e tyre kundër projekteve dhe planeve qeveritare.
Por, largimi i tyre nuk ka shqetësuar Pacollin, i cili menjëherë dje promovoi dy deputetë të rinj, që vijnë nga pakicat.
Deputetët Emilia Rexhep nga komuniteti boshnjak dhe Danush Ademi nga komuniteti ashkali tashmë janë pjesë e grupit parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re.
Koalicioni për Kosovën e Re mirëpret dy deputet të rinjë në grupin e saj parlamentar. Kjo është shenjë e vijimësisë politike dhe fuqizimit të grupit parlamentar të KKR-së, dhe trendit të rritjes së fuqizimit të partisë Aleanca Kosova e Re, ka theksuar shefja e Grupit parlamentar të KKR-së, Myzejene Selmani.
Sipas saj, AKR dhe aleatët e vet politikë mbesin të hapur dhe mirëpresin prurje të reja dhe të fuqishme në kuadër qoftë të grupit parlamentar qoftë të partisë.