Pacolli: 4 Korriku, ditë feste edhe në Kosovë
Prishtinë, 4 korrik - Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, shpreh urimet më të përzemërta për Ambasadoren e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson dhe gjithë popullin amerikan, me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Njëherit, në këtë përvjetor të Pavarësisë së SHBA-ve, z. Pacolli edhe njëherë çmoi lartë përpjekjet dhe kontributin e popullit amerikan për ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë për Kosovën .
Shtetet e Bashkuara të Amerikë kanë qenë katalizatori kryesor i zhvillimit të vendit tonë që nga koha e pasluftës, duke kontribuar në realizimin e idealeve të Kosovës dhe popullit të saj. Janë SHBA-të ato që u kanë sjellë paqe, liri dhe demokraci kombeve dhe popujve në mbarë botën, me besimin dhe dedikimin e tyre maksimal në përkrahje të këtyre vlerave, të cilat duhet të gëzohen nga të gjithë.
4 Korriku është ditë feste edhe për Kosovën, e cila është gjithmonë falenderuese për mbështjetjen e vazhdueshme të qytetarëve Amerikanë, në kohët më të vështira dhe më vendimtare për vendin tonë, veçanërisht në procesin e themelimit të një shteti demokratik, ku synimi ynë kryesor krahas zhvillimit të vendit tonë, vazhdon të jetë forcimi i sundimit të ligjit, stabilitetit prosperitetit në regjion dhe me gjerë.
Me këtë rast, ne e ritheksojmë fuqishëm miqësinë tonë të përhershme si dhe partneritetin dhe mbështjetjen reciproke me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shprehur mirënjohjen tonë, njëkohësisht edhe urimet tona në këtë ditë të veqantë për miqtë tanë, popullin dhe Qeverinë e SHBA-ve.