27 Prill 2024

Pack: Veriu është pjesë e pandashme e Kosovës

Prishtinë, 1 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot anëtaren e Parlamentit Evropian, miken e Kosovës, Doris Pack.

Temë kryesore e takimit ishte aktualiteti politik në Kosovë, me fokus përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e plotë të sundimit të rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës.

Kryeministri Thaçi në takimin e sotëm shprehu falënderimet dhe mirënjohjen më të lartë për mbështetjen e vazhdueshme të europarlamentares Doris Pack për proceset demokratike dhe zhvillimore në Republikën e Kosovës, duke prezantuar në mënyrë dinjitoze aspiratat dhe vizionin e Kosovës për integrim evropian.
 
Duke shprehur vendosmërinë e plotë për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, veçanërisht në pjesën veriore të vendit, kryeministri Thaçi në takimin me anëtaren e Parlamentit Evropian, Doris Pack, hodhi poshtë zërat për kinse Ahtisaari Plus.
 
Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Pakoja e Presidentit Ahtisaari garantojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, gjithashtu ofrojnë standardet më të larta në Evropë për garantimin afirmativ të të drejtave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë – u shpreh Thaçi dhe ritheksoi se Pakoja e Ahtisaarit nuk do të hapet dhe as nuk do të ndryshohet.

Anëtarja e Parlamentit Evropian, Doris Pack në takimin me kryeministrin Thaçi vlerësoi lartë përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e plotë të sundimit të rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës.

\"Veriu është pjesë e pandashme e Kosovës. Barrikadat janë formë jodemokratike e protestës, pasi ato mohojnë të drejtën themelore të lirisë së lëvizjes\", theksoi znj.Pack dhe shtoi se Pakoja e Ahtisaarit shërben si një platformë e cila garanton dhe ofron të drejtat më afirmative për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)