Pa kthimin e trurit ska zhvillim
Prishtinë, 19 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës në largim, Hashim Thaçi, është takuar me përfaqësueses të bizneseve të suksesshme të diasporës në SHBA dhe Evropë.
Me këtë rast Thaçi ka deklaruar se prioritet i tij do të jetë tërheqja e investimeve nga diaspora.
Prioritete të mia janë tërheqja e investimeve nga diaspora dhe kthimi i trurit apo kuadrove akademike dhe ndërmarrëse nga diaspora, ka deklaruar Thaçi.
Në anën tjetër, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, është pajtuar me deklarimin e kryeministrit Thaçi.
Ai ka thënë se deklarimi i kryeministrit në largim, Hashim Thaçi, për misionin e tij të ardhshëm, i cili ka të bëj me kthimin e trurit nga diaspora, është shumë i rëndësishëm madje, sipas tij, edhe më i rëndësishëm se edhe vetë fondi prej 1 miliard e gjysmë eurosh, i cili po ashtu është premtuar nga Thaçi.
Pa u bërë truri shqiptar në një vend dhe pa rrahur çekiçi në një vend ne nuk do ta kemi një zhvillim, nuk do ta kemi një përshpejtim të Kosovës drejt integrimeve evropiane, ka deklaruar Shahini për Epokën e re.
Ai ka shtuar se Kosovës i nevojiten praktika të mira nga njerëzit tanë që veprojnë në botë.
Na nevojitën praktika të mira dhe njerëzit tanë që tashmë nuk janë vetëm fuqi punëtore nëpër Evropë dhe Botë, por janë dhe tru, udhëheqës dhe ekspertë të ndryshëm. Kemi nevojë për kthimin e trurit shqiptar, ashtu siç kemi pasur nevojë edhe në kohën kur në Kosovë janë kthyer të gjithë atdhedashësit për të luftuar dhe për ta çliruar vendin. Tash duhet të kthehet truri i shqiptarëve në Kosovë për ta zhvilluar vendin, është shprehur Shahini.
Shahini ka deklaruar se Kosova ka nevojë për kthimin e trurit për të gjithë sektorët pasi, sipas tij, asnjë sektor nuk e ka të zhvilluar profesionalizimin në mënyrë adekuate.
Të gjithë sektorët kanë nevojë për projekte, për ide për realizim të projektit dhe për financa. Këto do të mund të arriheshin nëse me të vërtetë truri shqiptar kthehet në Kosovë. Edhe kapitali financiar duhet të kthehet në Kosovë, por edhe politikat fiskale për investime duhet të ndryshojnë rrënjësisht, është shprehur Shahini.
Albulena S. MAVRAJ