Osmani: Sakrifica e Jasharajve i ka vënë themele të forta shtetit të Kosovës
Prishtinë, 6 mars - Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe komandantin e FSK-së, gjeneralin Rrahman Rama, kanë bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, me rastin e 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetarja Osmani tha se në Prekaz janë për ta nderuar sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë atyre që luftuan, në mënyrë që qytetarët e Kosovës ta gëzojnë lirinë.
“Por më e rëndësishmja është që jo vetëm në këto data por në çdo ditë e në çdo moment, ta përkujtojmë këtë sakrifice, e cila i ka vënë themelet dhe ato, themele jashtëzakonisht të forta të shtetit tonë."
"Në të njëjtën kohë, ka ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës, duke bërë të ditur para syve të botës demokratike se populli shqiptar ishte një popull i shtypur nga ana e regjimit totalitar serb”, tha kryekuvendarja Osmani.
Më pas Kryetarja e Kuvendit, zonja Osmani e shoqëruar nga kryeministri Kurti, deputetë, ministra dhe përfaqësues të FSK-së, e kanë vizituar familjen Jashari, ku janë pritur nga vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari.â