Osmani: Nuk mund të lejojmë që në këtë kohë tmerri të triumfojë virusi i përçarjes
Prishtinë, 22 mars - Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar akterët politikë që të lënë ndasitë dhe të bëhen bashkë në luftimin e koronavirusit.
Osmani, në profilin e saj në Facebook ka shkruar se ‘ne nuk mund të lejojmë që në këtë kohë tmerri të triumfojë virusi i përçarjes dhe jo forca e bashkimit ndaj së keqes'.
“E sotmja është kohë e solidarizimit të plotë, jo e ndarjeve; është kohë e betejës ndaj virusit vdekjeprurës, prandaj heshtat tona duhet t'i drejtojmë kundër pandemisë dhe jo kundër njëri-tjetrit”, ka theksuar Osmani.
Reagimi i Osmanit vjen në kohën e mosmarrëveshjeve për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme midis presidentit Thaçi dhe partnerëve të koalicionit qeverisës.