Osmani njofton ambasadorin japonez me prioritetet e qeverisë së ardhshme
Ambasadori Koinuma uroi znj. Osmani për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Japonisë të forcojë marrëdhëniet me Kosovën dhe Ballkanin si vazhdimësi e marrëdhënieve të fuqishme që ka Japonia me Bashkimin Evropian.
Dr. Osmani e njoftoi z. Koinuma për vazhdimin e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LVV-së për përafrimin e programeve të të dy partive drejt një programi të përbashkët qeverisës.
Prioritetet e qeverisë së ardhshme do të jenë zhvillimi ekonomik, stabiliteti në vend, reforma në rend dhe ligj si dhe investimi në qytetarët e Kosovës përmes reformave në arsim dhe shëndetësi. Dr. Osmani falënderoi Ambasadorin Koinuma për bashkëpunimin dhe përkrahjen që i ka ofruar Qeveria e Japonisë shtetit të Kosovës në fushat e ekonomisë, shëndetësisë, kulturës, etj.
Njëkohësisht, dr. Osmani uroi të forcohet bashkëpunimi i Kosovës dhe Japonisë në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.