Osmani, Konjufca dhe Kurti ngushëlluan familjet e atyre që humbën jetën në aksidentit tragjik
Prishtinë, 29 korrik - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, kanë vizituar për ngushëllime familjet e personave që kanë humbur jetën në aksidentin në Slavonski Brod të Kroacisë.
Që të tre krerët shtetëror u kanë shprehur ngushëllime familjarëve, duke i siguruar ata se do të kenë mbështetje institucionale.
Ata kanë përmendur edhe ndihmën e pakursyeshme të shtetit kroat për t`u dalë në ndihmë të aksidentuarve, duke falënderuar strukturat shtetërore për angazhimin.
Presidentja Osmani ka theksuar se një fatkeqësi si kjo është dhimbje për gjithë qytetarët e Kosovës, ndërkohë që ka uruar shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit.
Kryetari i Kuvendit, z.Konjufca, theksoi se dhimbja për mërgimtarët që humbën jetën është e madhe, ngase erdhën për vizitë në familjet e tyre për ta gjetur gëzimin, por e gjetën vdekjen.
Ndërkaq kryeministri Kurti tha se kjo tragjedi nuk është vetëm e familjeve, por e të gjithë kombit. Sipas tij, dhimbja duhet të kthehet në forcë për ta përballuar më lehtë këtë humbje të madhe.
Në ditën e parë të vizitave, të tre liderët institucionalë kanë vizituar familjet e Ahmet Hoxhës, Anjeza Bellanicës, Kujtim Kastratit, Leonora Kolemekshajt, Naser Sylemetajt, Erlinda Binakajt, Valentina Zhubi-Binakajt dhe Gjylë Malokut, të cilët nuk i mbijetuan aksidentit të rëndë në Slavonski Brod të Kroacisë.
Vizitat ngushëlluese do të vazhdojnë të premten edhe në familjet e tjera.