Osman Shahini kandidat i LB-së për kryetar të Shtimes
Prishtinë, 30 gusht - Lëvizja për Bashkim (LB) sot prezantoi kandidatin e saj për Kryetar të Komunës së Shtimes.
Kandidat për kryetar të kësaj komune, i cili do të garojë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në emër të Lëvizjes për Bashkim do të jetë Osman Shahini.
Duke e prezantuar atë, kryetari i LB-së, Avni Klinaku, tha se gjendja edhe në komunën e Shtimes sikur edhe në të gjitha komunat tjera është shumë e rëndë dhe se shpresa e qytetarëve për ndryshimin e gjendjes në të mirë të tyre, çdo ditë e më tepër është zbehur.
Ai ka thënë së Lëvizja për Bashkim, duke u gjendur para kësaj situate, zgjedhjet është duke i trajtuar me seriozitet të veçantë, në mënyrë që qytetarëve tua ofrojë një alternativë që do ta ngjallë këtë shpresë të humbur.
\"Tua ofrojë një njeri i cili do ta mundësojë realizimin e kësaj alternative. E ai njeri është Osman Shahini.\"
Gjithashtu, kandidati Osman Shahini tha se Shtimja, si të gjitha komunat tjera, ballafaqohet me vështirësi të mëdha. Papunësia është në nivele alarmante ndërsa arsimi në gjendje të mjerueshme.
Dhe kjo sipas tij nuk është për shkak të mungesës së potencialit të komunës por për shkak të paaftësisë për ta vënë në funksion atë.
Për shkak të qasjes së gabuar ndaj problemeve. Ndërsa ne, si kandidatë të Lëvizjes për Bashkim, kemi gatishmërinë, vullnetin, aftësinë dhe guximin për tu përballur me të gjitha këto sfida.
Lëvizja për Bashkim garon për herë të parë në këtë komunë dhe është e bindur që, duke u bazuar në cilësitë e kandidatit për kryetar dhe atyre për asambleistë, arritja e rezultateve do të jetë e pakontestueshme.