OSBE zyrtarisht lehtëson zgjedhjet në veri
Prishtinë, 14 gusht - Sipas shefit të diplomacisë kosovare, përfshirja e OSBE-së në lehtësimin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës nuk shkel Kushtetutën e Kosovës.
Zyrtarë të misionit të OSBE-së në Kosovë thonë se kjo organizatë do ta lehtësojë organizimin e zgjedhjeve lokale të tre nëntorit në veri të Kosovës.
Zëdhënësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Nikolla Gaon i tha DW-së se angazhimi i OSBE-së në zgjedhjet lokale të tre nëntorit përfshihet në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Në përputhje me rolin tonë të lehtësuesit, OSBE-ja u përgjigjet nevojave teknike që mund të dalin. Për shembull, OSBE-ja mund të lehtësojë shkëmbimin e informacioneve ndërmjet të gjithë aktorëve relevantë dhe ta transmetojë kërkesën si të nevojshme.\"
\"Gjatë kohës së zgjedhjeve është paraparë që pjesëtarët e OSBE-së të kenë prani në komisionet zgjedhore komunale dhe komisionet e vendvotimeve, thotë zëdhënësi Nikola Gaon.
OSBE-ja sipas zëdhënësit Gaon, do të angazhohet në dhënien e informacioneve për votuesit, duke ofruar mekanizmin e votimit me postë për personat që janë të zhvendosur.
Sipas një rregulloreje për zgjedhjet në Kosovë, për votimin jashtë Kosovës, të drejtë votimi kanë të gjithë ata persona të cilët jetojnë jashtë Kosovës, por që janë të regjistruar si qytetarë të Kosovës në Regjistrin Qendror Civil. Fjala është për persona që kanë lëshuar Kosovën në apo pas 1 janarit të vitit 1998.
Përfshirja e drejtpërdrejtë e OSBE-së në lehtësimin e zgjedhjeve lokale të tre nëntorit, nga disa parti opozitare dhe një pjesë e shoqërisë civile është cilësuar si shkelje e kushtetutës së Kosovës.
Mirëpo, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i tha DW-së, se angazhimi i OSBE-së në rolin e lehtësuesit në zgjedhjet lokale të tre nëntorit, nuk bie ndesh me kushtetutën e Kosovës.
Në marrëveshjen që kemi arritur me Serbinë me 19 prill, parashihet që OSBE-ja të ketë një rol lehtësues të organizimit të zgjedhjeve vetëm në komunat në veri të Kosovës. Mendoj se kjo është në interes të shtetit të Kosovës, ndërsa mandati i OSBE-së do të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës.\"
\"Ne do të jemi dëshmitar që nëntori i vitit 2013, do të mbetet si një ndër pikat me kthese me të rëndësishme dhe më vendimtare sa i takon shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në veri, thotë ministri Hoxhaj.