OSBE vazhdon bashkëpunimin me Institucionet e Kosovës
Prishtinë, 8 tetor - Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga priti shefin e OSBE-së në Kosovë ambasadorin Jean Claude Schlumberger.
Presidentja Jahjaga vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm që institucionet e Kosovës kanë pasur me misionin e OSBE-së, ndërsa ambasadori Schlumberger shprehu gatishmërinë për vazhdim e këtij bashkëpunimi edhe gjatë kryesimit të tij me këtë mision.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova është dëshmuar në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, ndërsa suksesi më i madh i popullit, institucioneve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë ka qenë përmbyllja e mbikëqyrje së Pavarësisë.
Në takim u bisedua edhe për Samitin Ndërkombëtarë të Gruas i cili u mbajt në Prishtinë prej datës 4-6 tetor 2012, në organizim të Presidentes së Republikës së Kosovës.
Samiti u vlerësua i suksesshëm dhe u tha se me qëllim të zbatimit të Parimeve të Prishtinës, institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare duhet të intensifikojnë bashkëpunimin.
Ambasadori Schlumberger shprehu gatishmëri për kontribut konkret të Misionit të OSBE-se në këtë drejtim.