18 Janar 2025

OSBE promovon dialogun ndërfetar në Kosovë

Prishtinë, 17 shtator - Liderët dhe pjesëtarët e komunitetit islam, ortodoks serb, katolik, protestant dhe hebraik u mblodhën sot në një konferencë të organizuar nga OSBE në Prishtinë me temë dialogun ndërfetar për të diskutuar çështjet e përbashkëta që preokupojnë komunitetet fetare në Kosovë.

Pjesëmarrësit nënvizuan diversitetin fetar dhe nivelin e konsiderueshëm të tolerancës fetare në Kosovë si dhe rolin e rëndësishëm që kanë liderët fetarë në forcimin e respektit dhe mirëkuptimit në mes të komuniteteve të ndryshme në Kosovë.

Ata bënë thirrje për një kornizë ligjore të përmirësuar për lirinë e fesë, e cila do tu mundësonte të regjistrohen si persona juridik, të kërkojnë kthim të pronës dhe t’i rregullojnë financat e tyre.

“Unë i përgëzoj liderët fetarë për gatishmërinë dhe përpjekjet e tyre për të ndihmuar në promovimin  e tolerancës fetare dhe ndëretnike në Kosovë,” tha Ambasadori Jean Claude Schlumberger, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.  

“Liria e mendimit, ndërgjegjes, fesë dhe besimit janë me të vërtetë të drejta themelore që kërkojë mbrojtje gjithëpërfshirëse në çdo shoqëri moderne. OSBE është e gatshme të vazhdojë të përkrahë komunitetet fetare në përpjekjet për të përmirësuar pozitën e tyre ligjore dhe të vazhdojë të kontribuojë për dialog dhe pajtim në mes të komuniteteve.”

Konferenca u mbajt pas një serie të 15 forumeve ndërfetare në nivel lokal të organizuara nga OSBE në gjashtë muajt e fundit.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillim e sektorit të sigurisë publike.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)