OSBE: Nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve
Prishtinë, 15 gusht - Zëdhënësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Nikola Gaon, ka thënë se nuk beson se do të ketë shtyrje të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat janë paraparë për datën 3 nëntor.
Në një intervistë për agjencinë serbe Beta, Gaon ka thënë se palët e interesuara do të merren vesh për të gjitha çështjet e hapura, përfshirë edhe dukjen e fletëvotimeve.
Nuk kemi informacione apo paralajmërime për shtyrje dhe nuk llogarisim në të. Ne po përgatitemi për zgjedhje, ka thënë Gaon.
Ai ka kujtuar se OSBE-ja është ftuar të ofrojë ndihmë në organizimin e zgjedhjeve lokale në katër komuna të veriut të Kosovës, në përputhje me marrëveshjen e 19 prillit midis Prishtinës dhe Beogradit.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se fletëvotimet do të jenë konform ligjeve në fuqi të Republikës, por homologë të tyre në Serbi kanë thënë se është e papranueshme që ato të kenë simbolet shtetërore të Kosovës.