OSBE mbështet krijimin e Komitetit për Fshatin Hoçë e Madhe
Prishtinë, 25 janar - Shefi i misionit të OSBE’së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, sot në takim me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, shprehu gatishmërinë e institucionit që ai drejton në implementimin e Ligjit për Fashtin Hoçë e Madhe dhe dispozitat tjera ligjore që dalin nga ky ligj.
Në bazë të Ligjit për Fshatin Hoçë e Madhe, parashihet krijimi i Komitetit, siç e parasheh edhe Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura e që ka për qëllim monitorimin dhe lehtësimin e implementimit të ligjit.
Ky komitet do të jetë i përbërë nga dy anëtarë nga Kuvendi i Komunës së Rahovecit, dy anëtarë që zgjedhen drejtpërdrejtë nga banorët e fshatit Hoçë e Madhe dhe një anëtar nga Kisha Ortodokse Serbe, i cili duhet të jetë banor i fshatit Hoçë e Madhe.
Schlumberger tha se OSBE është e gatshme të ndihmojë në organizimin e formimit të Këshillit, përmes lehtësimit të mbajtjes së zgjedhjeve për anëtarët e Komitetit. Ndërkaq, Ministri Gashi shtoi se ndihma nga OSBE do të ishte e pazëvendësueshme në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për këtë çështje.
Anëtarët e Komitetit duhet vazhdojnë mandatin deri në zgjedhjet e ardhshme që zhvillohen në të njëjtën kohë më zgjedhjet lokale, siç e parasheh ligji.