04 Maj 2024

OSBE inicion dialogun për drejtësinë administrative

Prishtinë, 20 dhjetor - Një punëtori dyditore për drejtësinë administrative për përfaqësues të Ministrisë së Administratës së Pushtetit Lokal, Ministrisë së Administratës Publike, Asociacionit të Komunave të Kosovës, gjykatësit dhe përfaqësuesit e institucioneve për trajnim të shërbimit civil ka mbaruar punën më 16 dhjetor 2011 në Prishtinë.

Punëtoria është organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar për të diskutuar përputhshmërinë e administratës publike me principet e ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies në vendimmarrje dhe të ndihmojë që gjatë katër javëve të ardhshme të hartohen një sërë rekomandimesh për përmirësimin e implementimit të drejtësisë administrative.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar të drejtës së individëve për tu ankuar për vendimet administrative të marra nga institucionet e nivelit qendror dhe lokal, për shembull lejet e ndërtimit ose rastet e regjistrimit të biznesit.

“Monitorimi ynë tregon që administrata publike shpeshherë dështon që t’i bindet kërkesave të drejtësisë administrative, që për pasojë çon në humbje të besimit të publikut dhe pakënaqësisë me punën e institucioneve”, tha Jared Hayes, ushtrues i detyrës së drejtorit të Departamentit të Demokratizimit në OSBE.

“Kjo punëtori ka për qëllim që të iniciojë një shqyrtim të plotë institucional dhe vazhdim të procesit në këtë çështje, duke përfshirë rekomandime të cilat do të shpërndahen te të gjithë pjesëmarrësit të seminarit të sotëm për vëmendje dhe implementim të mëtutjeshëm”.

Ekspertët e të drejtës administrative nga Kosova dhe zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut në OSBE kanë kontribuar për diskutime mbi kërkesat normative dhe të drejtat e njeriut.

“Është hera e parë që nga viti 2004 që akterët kryesor, duke përfshirë edhe gjykatësit në fushën e drejtësisë administrative dhe autoritetet administrative, janë mbledhur për të diskutuar gjerësisht për këtë temë të rëndësishme”, tha Vjosa Nimani Zylfiu, Gjykatëse e Gjykatës Supreme.

Misioni i OSBE-së është i mandatuar për ndërtimin e institucioneve demokratike. Punëtoria është organizuar mbi bazën e mbështetjes së OSBE-së për administratën e nivelit qendror dhe lokal në Kosovë për të përmirësuar cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.     

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)