OSBE: 11 për qind e serbëve kanë votuar deri në ora 14:00
Prishtinë, 20 maj - Deri në orën 14:00 pjesëmarrja e votuesve në raundin e dytë të zgjedhjeve për president të Serbisë ka arritur 11 për qind, raporton Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Shefi i Misionit të OSBE-së, Ambasadori Werner Almhofer vizitoi disa vendvotime dhe takoi stafin e OSBE-së që po udhëheq me qendrat e votimit.
Jam i kënaqur që të gjitha vendvotimet janë hapur në kohë të duhur këtë mëngjes dhe që votimi po kalon pa incidente, tha ai gjatë vizitës në qendrën e votimit në Zveçan.
Qendrat e votimit do të mbesin të hapura deri në orën 20:00 dhe ne do të vazhdojmë operacionin tonë derisa edhe votuesi i fundit ta hedhë votën e vet në kuti.
Më shumë se 110.00 votues kanë të drejtë vote në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë të cilat po lehtësohen nga OSBE.