Orientimi evropian vlerë dhe përkatësi e popullit të Kosovës
Prishtinë, 7 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Konferencën e organizuar nga KFOS-i, \"Ecje nëpër akull: Kushtëzime, sfida dhe reforma drejt BE-së\".
Në këtë debat ishte e pranishme edhe shefja e re e Zyrës së Bashkimit Evropian njëherësh përfaqësuese e posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, publicisti Veton Surroi dhe gazetari Augustin Palokaj.
Gjatë adresimit të tij, kryeministri Mustafa ritheksoi frymën integruese, proevropiane dhe properëndimore në Kosovë, e cila është çështje e përkatësisë sociale dhe ekonomike të qytetarëve të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Në qoftë se ne dëshirojmë të konstatojmë vullnetin e shprehur të qytetarëve të Republikës së Kosovës, mund të themi se ky vullnet është shprehur qartë, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës veten e shohin si pjesë të familjes evropiane dhe dëshirojnë që vlerat e tyre ti ndajnë me qytetarët në kuadër të Bashkimit Evropian, theksoi kryeministri Mustafa.
Një vit pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, kryeministri Mustafa ka bërë të ditur se po punohet në përgatitjen e bizneseve për tregun evropian, duke përmendur punën në aplikimin e Strategjisë Kombëtare Ekonomike, si dhe në aplikimin e reformave ekonomike dhe atyre evropiane, për të arritur këtë qëllim.
Kryeministri Mustafa theksoi se megjithatë, në këtë rrugë duhet të ketë konsensus më të gjerë, pasi integrimet evropiane ndërlidhem me shoqërinë kosovare në tërësi.
Ndërlidhur me këto, unë mendoj se ne i kemi dy probleme ose dimensione të ndërlidhura: Njëra ka të bëjë me atë se ne pretendojmë dhe duhet të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, për arsye se të veçuar nuk mund të përballojmë konkurrencën globale, me të cilën ne ballafaqohemi dhe çështja e dytë ka të bëjë me vetë elementin tonë të brendshëm, se ne këtë rrugë, qoftë të brendshme, qoftë në relacion me Bashkimin Evropian, duhet ta kalojmë me një konsensus sa më të gjerë social, ekonomik, në mënyrë që punët që ne duhet ti bëjmë, të jenë të ndërlidhura dhe duhet ti bëjmë bashkërisht, sepse nuk ndërlidhen as vetëm me Qeverinë, as vetëm me Parlamentin, as vetëm me shoqërinë civile, ose me institucione të veçanta, por ndërlidhen me shoqërinë kosovare në tërësi, tha kryeministri Mustafa.
Në anën tjetër, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, pjesëmarrëse në këtë konferencë, ka theksuar se pa përmbushjen e dy kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian - ku bëjnë pjesë demarkacioni me Malin e Zi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit - çështja e liberalizmit të vizave vështirë se mund të realizohet.
Progresi në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës tash është në duart e kosovarëve, në duart e liderëve tuaj politik. Ky bllokim është një çështje e brendshme politike që duhet të zgjidhet dhe i apeloj partive politike që të shohin më shumë për interesat kombëtare dhe të mos ndiqen agjenda të ngushta politike, ka theksuar ajo.
Problemi që ka krijuar paralizë politike është marrëveshja e Brukselit, konkretisht negociatat me Serbinë dhe marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, thekson publicisti Veton Surroi.
Këto marrëveshje, ka shtuar Surroi, janë të imponuara.
Që të dyja këto, edhe marrëveshja e Brukselit që ka të bëjë me asociacionin edhe ajo e demarkacionit, për herë të parë janë imponuar pa konsensus. Kosova ka kaluar në shumë sfida negociatore, por gjithnjë është përpjekur të krijojë konsensus, si në Rambuje ashtu edhe në Vjenë. Prandaj, ka qenë e mundur shpallja e pavarësisë në atë kohë. Dhe tani, për herë të parë, është marrë një marrëveshje e cila është përpjekur ti imponohet pjesës tjetër të popullatës, ka theksuar Surroi.