Organizohet kampi veror për personat me aftësi të kufizuara
Prishtinë, 24 gusht - Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, fondacioni italian Roberto Bazzoni dhe ambasada finlandeze në Prishtinë edhe këtë vit kanë mundësuar organizimin e kampit veror për personat me aftësi të kufizuara, gjegjësisht për Shoqatën e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve Handikos, që po mbahet në Durrës.
Për të parë kushtet e akomodimit dhe për të shprehur përkrahjen ndaj këtyre personave, por edhe me ftesë të kryetarit të Handikos-it, Afrim Maliqi, këtë kamp e ka vizituar zv/ministri i MPMS-së, Fatmir Shurdhaj, i cili shoqërohej nga këshilltari i MPMS-së, Viktor Mehana.
Shurdhaj duke parë nga afër kushtet e akomodimit është shprehur se kjo kategori meriton një respekt dhe përkushtim të veçantë, duke premtuar se MPMS-ja do të vazhdoj edhe në të ardhmen të ketë një trajtim të dinjitetshëm për këto kategori, sepse këtë trajtim edhe e meritojnë.
Udhëheqësi i Handikops-it, Afrim Maliqi, por edhe familjarë që shoqëronin të afërmit e tyre, u shprehën të kënaqur me kushtet e akomodimit dhe se ndjehen tepër të nderuar nga ky organizim por edhe nga vizita që u bëri zv/ministri Shurdhaj, ndaj të cilit shprehën falënderim të veçantë.