Organizohet edicioni i Shkollës Pranverore për Diplomatë të Rinj
Prishtinë, 5 maj - Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Fondacionin gjerman Friedrich Ebert, organizon edicionin e tretë të Shkollës Pranverore për diplomatë të rinj.
Hapja zyrtare do të bëhet të hënën, më 9 maj, në orën 9:00, në Hotel Theranda, në Prizren. Tema e seminarit është: Sfidat e diplomacisë moderne.
Në këtë trajnim një javor, përveç diplomatëve e zyrtarëve nga MPJ, do të marrin pjesë edhe diplomatë nga rajoni si dhe nga disa vende të tjera si Kostarika, Malta, Panamaja, Polonia, Tajlanda. Lidhur me temën kryesore dhe aspektet e tjera nga fusha e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare do të ligjërojnë profesorë eminentë e ambasadorë karriere nga Berlini, Ajova, Qendra Marshall, etj. Në kuadër të seminarit mbahet edhe një tryezë e rrumbullakët me drejtorët e akademive diplomatike nga rajoni.
Transporti për përfaqësuesit e medieve të interesuara, për të mbuluar fjalimet hyrëse për rëndësinë e këtij aktiviteti, do të sigurohet nga MPJ. Luten përfaqësuesit e medieve ti dërgojnë emrat e gazetarëve, fotografëve dhe të kameramanëve për regjistrim në e-mail [email protected] deri nesër më 6 maj në orën 14:00.