Opozita thërret protesta më 9 janar
Prishtinë, 4 janar - Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë paralajmëruar vazhdimin e përpjekjeve dhe aktiviteteve në kundërshtim të politikave që po udhëheqë qeveria e koalicionit të dy partive më të mëdha në Kosovë.
Përfaqësues të tri partive opozitare, Driton Çaushi nga Lëvizja Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Valdete Bajrami nga Nisma kanë konfirmuar se më 9 janar, opozita do të thërrasë një protestë në Prishtinë, në të cilën do të kërkohet që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, disa parime të kësaj marrëveshjeje nuk ishin në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës, andaj opozita kërkon që ajo të anulohet.
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi ka thënë se protestat do të vazhdojnë, njësoj siç u protestua gjatë katër muajve të fundit, në përpjekje të bllokimit të zbatimit të marrëveshjeve, të cilat, sipas tij, janë të dëmshme për Kosovën. Protesta e 9 janarit, ka theksuar ai, do të jetë paqësore.
\"Nuk ka asnjë arsye që, kur flitet metoda të ndryshme, të ngjallet çfarëdo ndjenje negative në lidhje me metoda të reja. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Absolutisht protesta do të jetë paqësore dhe ky është qëndrimi i tri subjekteve\", ka thënë Çaushi.
Me qëndrime identike janë paraqitur edhe dy partitë tjera opozitare. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, ndaj së cilës po vazhdojnë procedurat ligjore për shkak të posedimit dhe hedhjes së gazit lotsjellës brenda Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se opozita nuk do të ndalet deri në largimin e qeverisë aktuale të Kosovës.
\"Pavarësisht se çfarë forma të represionit do të përdorin ndaj opozitës, ne nuk do të ndalemi. Do të vazhdojmë të jemi kundër marrëveshjeve, do të kërkojmë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ky vendim duhet të vlejë për të gjithë dhe duhet të zbatohet\", ka theksuar Donika Kadaj Bujupi.