Opozita: Te presidentja takohemi vetëm për zgjedhje
Prishtinë, 12 shkurt - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka paralajmëruar vazhdimin e takimeve me krerët partiakë për të gjetur një zgjidhje për tejkalimin e krizës politike në vend.
Megjithatë, përfaqësuesit e tri subjekteve opozitare thonë se kryetarët e këtyre subjekteve do të pranojnë të takohen me drejtuesit e koalicionit qeverisës vetëm nëse në rend dite do të jenë modalitetet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Ndryshe, sipas opozitarëve, takimet e organizuara nga presidentja Jahjaga janë të kota sepse nuk prodhojnë asnjë rezultat.
Zyra e presidentes ka bërë të ditur se Jahjaga do të vazhdojë angazhimin e saj për të gjetur zgjidhje për tejkalimin e krizës, por nuk tregon se kur do të thirret takimi tjetër i liderëve partiakë, pas atij që u mbajt të hënën.
Presidentja Jahjaga do të vazhdojë angazhimin e saj për dialog ndërmjet partive politike parlamentare për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend, thuhet në përgjigjen e Zyrës së presidentes.
/Zëri/