Opozita s'mund ti detyrojë qytetarët me dhunë tek kutitë e votimit
Prishtinë, 6 janar - Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka thënë se thirrjet e opozitës për protesta të dhunshme të paralajmëruara për të shtunën janë të papranueshme.
Këto parti opozitare përsëri kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë të qetë dhe demokratike. Por le të heqin dorë nga dhuna, ka shkruar Thaçi në profilin e vet në Facebook.
Postimi i plotë i Hashim Thaçit:
Ka një kohë të gjatë që partitë opozitare janë verbuar nga mosdurimi për ta marrë pushtetin me dhunë.
Frustrimi i opozitës është në rritje, sidomos pas vendimit të mirëpritur të Gjykatës Kushtetuese, e cila qartazi sqaroi dy gjera esenciale: e para se asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet në përputhje me Marrëveshjen e Parë të ratifikuar nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, dhe së dyti, ka precizuar saktë mënyrën e themelimit dhe dispozitat kushtetuese, të cilat duhet ti përmbajë Statuti nëpërmjet të cilit themelohet dhe funksionon asociacioni.
Liderët e opozitës vendimin e Gjykatës Kushtetuese e lexojnë ndryshe, sepse lexojnë me sy dhe mendje të verbuar nga dëshira për pushtet. Por, populli i Kosovës nuk është i verbuar. Jetojmë në liri dhe demokraci ku secili ka mundësi të lexojë, mendojë dhe veprojë i lirë dhe pa imponim.
Institucionet e Kosovës e kanë mirëpritur vendimin dhe do ta zbatojnë atë në tërësi. Kjo është përkrahur edhe nga partneret tanë besnik, SHBA dhe BE. Të gjithë e lexojnë dhe kuptojnë drejtë vendimin, përveç opozitës.
Prandaj shtrohet pyetja, përse vetëm disa parti të vogla opozitare të inatosura me të gjithë, nuk e pranojnë vendimin në fjalë.
Përgjigjja është e qartë, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese rrënon përfundimisht pretekstin e sajuar të opozitës për protesta. Kjo shkakton dhimbje dhe rrit frustrimin.
Këto parti opozitare përsëri kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë të qetë dhe demokratike. Por le të heqin dorë nga dhuna.
Thirrjet e opozitës për protesta të dhunshme të paralajmëruara për të shtunën janë të papranueshme. Në një moment kritik kur jemi në prag të marrjes së rekomandimit për liberalizim të vizave, dhuna do ta cenonte rëndë këtë proces.
Opozita nuk mund ti detyrojë qytetarët që nëpërmjet dhunës dhe kërcënimit të shkojnë tek kutitë e votimit. Aq më tepër, qytetarët nuk i kanë borxh opozitës që vullnetin e tyre ta bëjnë publik sa herë i teket opozitës.
Qytetarët respektojnë rregullat demokratike dhe vullnetin e tyre demokratik e kanë shprehur dhe do ta shprehin në të ardhmen në mënyrë demokratike dhe pafrikë nga askush.
Prandaj, sa më të mëdha të jenë përpjekjet e partive opozitare që nëpërmjet kërcënimit, dhunës, shantazhit dhe anarkisë ta marrin pushtetin aq më e fuqishme do të jetë përgjigjja e qytetarëve dhe institucioneve shtetërore në mbrojtje të shtetit dhe demokracisë tonë moderne.