Opozita: Situata e krijuar kërkon përgjegjësi politike
Prishtinë, 15 tetor - Lëvizja VETËVENDOSJE!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën, kanë vlerësuar se situata e krijuar kërkon përgjegjësi politike, e jo aksione policore e farsë hetimore!.
Njoftimet se prokuroria e shtetit po kryen hetime në sallën e Kuvendit janë qesharake. Ato kanë për qëllim që ti frikësojnë deputetët e Opozitës, por ju bëjmë me dije se kjo nuk do të kalojë.
As futja e policisë në ndërtesën e Kuvendit, kjo me urdhër të Kryetarit të Kuvendit, e as hetimet qesharake të policisë, nuk mund ta zgjidhin këtë situatë jo-normale të shkaktuar nga Qeveria dhe nënshkrimet e kryeministrit.
Ndërhyrja e prokurorisë dhe policisë në Kuvendin e Kosovës është instrumentalizim i këtyre institucioneve për të shtypur opozitën. Ky veprim flet për tentimin e pushtetit që të shndërrohet në pushtet autoritar që situatat e vështira i zgjidhë vetëm përmes ndërhyrjes policore.
Ky vend ka ardhur në një situatë kur duhet tu japë zgjidhje dy marrëveshjeve që e kanë sjellë vendin këtu ku është, e vetëm pastaj ti rikthehemi normalitetit dhe jetës institucionale pozitë-opozitë.
Situata e krijuar kërkon reflektim dhe përgjegjësi politike, e jo aksione policore e farsë hetimore!