Opozita proteston sot kundër zgjedhjes së Presidentit
Prishtinë, 26 shkurt - Tri subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën do të mbajn sot protestën e radhës për largimin e Qeverisë dhe kundër zgjedhjes së Presidentit.
Ata i kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që janë kundër politikave të kësaj qeverie, që janë kundër thellimit dhe vazhdimit të kapjes së shtetit, që sot të bashkohen në shesh të kundërshtimit dhe ta ngrisin së bashku zërin e protestës ashtu që ta pengojnë kapjen e shtetit në majën e tij, në Presidencë.
Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë së personi që e ka nënshkruar marrëveshjen për Demarkacion, dhe ai që e ka nisur marrëveshjen për Zajednicën, po shpreson që sot të kurorëzohet në President të Republikës së Kosovës.
\"Ne jemi kundër kësaj, dhe insistojmë që Qeveria të largohet në mënyrë që Kosova të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike, dhe që institucionet e Kosovës të bëhen institucione me legjitimitet demokratik.\"
\"Ky Kuvend dhe këto institucione qendrore, as nuk kanë legjitimitet demokratik, e as nuk kanë legalitet politik për të marrë çfarëdo vendimi, e aq më pak të zgjedhin President\", ka theksuar Ymeri.
Edhe Lideri i Nismes, Fatmir Limaj ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarët që sot në ora 10:00 të jenë në shesh bashkë për ta vazhduar kauzën largimin e këtij regjimi antikushtetues.
\"Regjimet e tilla sikur ky këto, testojnë dhe provojnë popullin se sa është i qëndrueshëm. Sot në sheshe të Prishtinës duhet të dëshmojmë se do të vazhdojmë të qëndrojmë deri në largimin e këtij regjimi\", ka theksuar Limaj.