Opozita po e krijon një bosht të ri në Kuvend
Prishtinë, 16 prill - Visar Ymeri, kryetar i lëvizjes Vetëvendosje, ka folur për qëndrimet dhe veprimet e përbashkëta që subjektet opozitare do ti shpërfaqin në Kuvend, por edhe për zhvillimet në subjektin politik që përfaqëson.
Ymeri në pjesën e dytë të intervistës dhënë Kohës Ditore, ka komentuar edhe disa nga vendimet e Qeverisë.
Ai ka theksuar se bashkëpunimi opozitar do ta krijonte një bosht të ri të funksionimit politik brenda legjislativit, i cili për çështje të caktuara do të mund ti tërhiqte edhe votat e deputetëve individualë, qofshin ata të pavarur ose të grupeve të tjera parlamentare.
Megjithëkëtë, ka thënë se opozita nuk është mirë me numra. Por, ka shfaqur shpresën se, për çështje të caktuara, me opozitën ti bashkojnë votat edhe disa nga deputetët e partive në pushtet.
Shkarkimi nga posti ministror i Aleksandër Jablanoviqit është vendimi i vetëm i kryeministrit Isa Mustafa, për të cilin Ymeri ka thënë se meriton të duartrokitet. Si gjysmë të mira i ka vlerësuar politikat fiskale, dhe vendimet e tjera kanë marrë notë negative të tij.
Ai ka kritikuar Qeverinë edhe për sjelljen ndaj dy projekteve të mëdha zhvillimore, Trepça dhe Kosovës së Re. Ka dhënë alternativë se si duhet vepruar me to.
E, tek ka folur për zhvillimet e fundit në Vetëvendosje, ka thënë që përjashtimet e disa aktivistëve janë për shkak të shpifjeve dhe keqpërdorimit të fondeve. Kreu i Vetëvendosjes ka thënë se kurrkush nuk do të ndëshkohet, nëse e ndan me publikun pakënaqësinë për këtë subjekt politik.
Ka dhënë edhe një qëndrim për sulmin fizik që Liburn Aliu ka ushtruar ndaj një asamblisti të PDK-së.
/Kohës Ditore/