Opozita nuk pritet të jetë unike

Prishtinë, 23 nëntor - Opozita në krye me Vetëvendosjen e Albin Kurtit, e pasuar nga AAK e Ramush Haradinajt dhe Nisma e Fatmir Limajt, nuk pritet të jetë një opozitë e fortë dhe bashkuar.
Qëndrimet e kundërta që kanë këto tri subjekte, programet politike diametralisht të kundërta, si dhe konceptet e politikëbërjes, janë disa nga pikat të cilat ia pamundësojnë kësaj opozite të flasë me një zë.
Këto janë vlerësimet e njohësve të rrethanave politike në vend, sipas së cilëve akuzat e bëra tash në mes të Albin Kurtit dhe Ramush Haradinajt, e pamundësojnë funksionimin e kësaj opozite si një trup të vetëm. Për Behxhet Shalën, opozitën e kishte bashkuar synimi i vetëm për të mos lejuar Thaçin 3. Ndërsa tash kur Isa Mustafa dhe udhëheqësia e LDK-së i ka thënë po qeverisjes me Thaçin, gjërat sipas tij, kanë ndryshuar në terren.
Opozita tash nuk do të jetë unike sepse kemi të bëjmë me tri subjekte politike të cilat kanë programe të ndryshme dhe thuajse asgjë nuk do ti bashkojë. Gatishmëria për të mos lejuar Thaçi 3 ka qenë pikë motivimi dhe pikësynimi i opozitës aktuale. Me harmonizimin e marrëveshjes, kjo opozitë ka mbetur e hendikepuar, ka thënë Shala.
/Tribuna/