Opozita nuk kthehet në Kuvend
Prishtinë, 25 maj - Tri subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, AAK-ja e Nisma për Kosovën, përfundimisht kanë vendosur që të mos kthehen në Kuvend gjatë këtij mandati, me përjashtim të \'rasteve të veçanta\'.
Opozitarët vazhdojnë ta konsiderojnë bojkotimin e punës së Kuvendit si formë të duhur për ta kundërshtuar Qeverinë Mustafa, të cilën ata e konsiderojnë shkelëse të Kushtetutës.
Kështu përfaqësuesit e opozitës bëjnë të ditur se do të kthehen në Kuvend vetëm në kohën kur në rend dite do të jetë ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që ta bllokojnë atë marrëveshje të cilën e konsiderojnë të dëmshme për Kosovën.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, ka thënë për Zërin se ky subjekt politik kohë më parë e ka bërë të qartë qëndrimin e vet sa i përket pjesëmarrjes së deputetëve në Kuvend.
Krasniqi ka thënë se deputetët e Vetëvendosjes do të kthehen në Kuvend vetëm kur në rend të ditës trajtohen çështje me rëndësi të veçantë.
Një gjë e tillë do të ndodhë atëherë kur në rend të ditës trajtohen çështje me rëndësi të veçantë. Kosova vazhdon të udhëhiqet nga një qeveri antikushtetuese dhe kriminale, qeveri kjo që në çdo kohë mund të shtyjë tema të dëmshme në Kuvend, të cilat ne duhet ti kundërshtojmë e ti ndalim. Sidomos kur bëhet fjalë për marrëveshjet e 25 dhe 26 gushtit 2015, të cilat në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që të gjejnë zbatim në Kosovë, është shprehur Krasniqi.
/Zëri